Mjetet lundruese, krenaria e Shqipërisë gjatë luftës së ftohtë erdhën në Shqipëri në bazë të marrëveshjeve të traktatit të Varshavës dhe për to kishte propozime për t’i kthyer në një muze.
Baza ushtarake shqiptaro-ruse në vitet 50 kishte gjithsej 8 nëndetëse, katër nga të cilat u larguan kur Shqipëria doli nga aleanca ushtarake e vendeve komuniste.
Nëndetëset ishin operative për shumë vjet, për të mbetur të palëvizura pas vitit 1997 kur u dëmtuan shumë rëndë dhe ishin gati të mbyteshin.
Ato u ankoruan në një cep të bazës ushtarake të Pashalimanit për të mos lëvizur deri ditët e fundit kur u sharruan dhe transportuan me autokolona kamionesh për në Elbasan.
Në maj të vitit 2010 u njoftua tenderi për shitjen e tyre me një vlerë prej 34.3 milionë lekë pa tvsh dhe vetëm ditët e fundit përfundoi operacioni për nxjerrjen e tyre nga uji, prerjen dhe transportimin për në metalurgji.
Vlera në treg e çelikut të zakonshëm sepse alumini e bakri janë më të shtrenjta, është 78 milionë lekë.
Dhjetra kamione të ngarkuar rëndë kanë kaluar për ditë të tëra mes përmes qytetit të Vlorës dhe të premten me 23 shtator është transportuar edhe pjesa e fundit e nëndetëseve.
Mjete të rënda dhe impiante për prerjen e mjeteve lundruese me oksigjen janë ende në bazën e Pashalimanit ku janë marrë dhe transportuar edhe shumë pjesë të mbetura të silurave, bombave detare, armëve të rënda luftarake të dala jashtë përdorimit dhe mjete të vogla lundruese.
Nëndetëset që u shkatërruan janë 650 tonë secila dhe përbëhen nga çeliku dhe bakri.
Nëndetëset që u shkatërruan janë “Tufani”, me numër 332, “Vetëtima” me numër 334 dhe “Rrufeja”. Nëndetësja 105 aq shumë e njohur për përdorimin e saj nga propaganda komuniste, është lënë që të mos shkatërrohet.
Këto nëndetëse u shkatërruan dhe po shkrihen në furrënaltat e Elbasanit njësoj si Azotiku i Fierit apo TEC-i i Maliqit e shumë ndërmarrje të vjetra të dala jashtë funksionit.
No comments:
Post a Comment