Reklama

"Ky blog, është gazeta jonë e përbashkët virtuale, prej nga do të raportojmë jetën në qytetet tona. Nëpërmjet tij ne do të sjellim pranë publikut të gjerë informacionin e munguar që ndodh në qendër dhe periferi, duke forcuar kështu dimensionin transparent të shoqërisë, përfshirjen e këndvështrimeve të ndryshme dhe rritjen e vetëdijes shoqërore dhe komunitare. Ky blog është fillesa e një rrjeti funksional qytetarësh të angazhuar në monitorim, raportim dhe publikim".

Search This Blog

Wednesday, December 21, 2011

Nënshkruhet kontrata për Tiranë-Elbasan

Ministria e Financave njoftoi dje se kredia e negociuar me emiratin arab të Abu Dhabit do të ketë një interes prej 5 për qind në vit.
Kredia me vlerë 50 milionë dollarë dhe me afat maturimi 15 vjet, do të ketë një interes bazë prej 4.5 për qind dhe një komision menaxhimi prej 0.5 për qind në vit, e zbatueshme kjo mbi pjesën e principalit të mbetur.
Sipas gazetës "Shqip", kredia do të përdoret për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, një projekt që vlerësohet se do të kushtojë rreth 400 milionë dollarë.
Qeveria i ka shpëtuar pagesës së kësteve të kësaj kredie për tre vitet e para, pasi sipas kontratës, principali do të fillojë të shlyhet duke filluar nga viti i katërt.
Kredia do të tërhiqet në monedhën e Emirateve të Bashkuara Arabe, dihran, një monedhë kjo e lidhur me kurs fiks këmbimi me dollarin amerikan në kursin 27 cent për dirhan. Kjo është kredia e katërt e tërhequr nga qeveria vetëm për rrugën Tiranë-Elbasan.
Më herët, Banka Islamike për Zhvillim ofroi 222.7 milionë dollarë me afat maturimi 17 vjet dhe me interes prej 5 për qind.
Fondi OPEK ka dhënë 20.4 milionë dollarë me interes 3.3 për qind dhe me afat maturimi prej 20 vjetësh, ndërsa edhe në këtë rast, pagesa e principalit do të fillojë pas pesë vjetësh.
Fondi Saudit për Zhvillim ofroi 25 milionë dollarë të tjera me afat maturimi 25 vjet dhe me normë interesi 2 për qind, ndërsa principali do të fillojë të paguhet pas pesë vjetësh.
Në total, deri më sot, qeveria ka nënshkruar borxhe të përgjithshme prej 318 milionë dollarësh, interesat vjetore të të cilave arrijnë në 15 milionë dollarë në vit.
Në rrugën Tiranë-Elbasan aktualisht qarkullojnë rreth 2-3 mijë makina në ditë, ndërkohë që standardet ndërkombëtare përcaktojnë se për të justifikuar ekzistencën e një autostrade me katër korsi, është i nevojshëm një trafik mesatar ditor prej 12 mijë makinash.
Borxhi i tërhequr për autostradën Tiranë-Elbasan është i barabartë me 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Aktualisht qeveria është angazhuar në një akrobaci llogaritjesh që synojnë të tregojnë se borxhi publik nuk ka kaluar ende kuotën 60 për qind të PBB-së, pavarësisht se flirton prej vitesh me këtë tavan ligjor dhe psikologjik.
Ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se me politikat aktuale të qeverisë, borxhi do të rritet në 64 për qind të PBB-së brenda katër viteve të ardhshme.

No comments:

Post a Comment