Manuela Hyka është 11 vjeç dhe kurrë në jetën e saj nuk ka patur një kukull si lodër. Që e mitur është mesuar se festa e vërtetë në shtëpinë e saj është kur babai dhe nëna arrinin t’i siguronin bukën e përditshme dhe as ky fundviti se ndryshoi fatin e saj.
Manuela kujton se shumë herë është shtrirë të flejë pa ngrënë asgjë për të gjithë diten. Vajza banon në një shtëpi gati të rënuar me familjen e saj dhe me gjashtë persona.
”Dua të luaj këtë Vit të Ri me lodra. Nuk kam patur asnjëherë ndonjë kukull”, shprehet e mitura.
Babai i saj, Dalip Hyka, këtë vit nuk ka asnjë mundësi që t’i sigurojë familjes së tij të festojnë sot Vitin e Ri. Varfëria ekstreme ka pushtuar familjen e Dalip Hykës në fshatin Godolesh të Elbasanit.
”Shtëpia nuk ka asnjë gjë. As lavoman, as lavatriçe, as frigorifer, asnjë gjë. Vetëm një televizor kam në shtëpi, edhe atë ma ka dhuruar vëllai që më përpara. Jetojmë aq keq sa nuk ka më ku të vejë. Me asistencë 40 mijë lekëshe, me atë jetojmë. Jemi gjashtë veta në shtëpi. Si ia dal për të siguruar ushqimin? Me vuajtje. Kur s’kemi rimë pa ngrënë. Ka patur edhe raste të tilla.”
Zonja e shtëpisë, Drita, shprehet se gjendja është vërtetë kritike. Ajo kërkon një ndihmë për fëmijet e saj.
”Na ka rënë kjo fatkeqësi dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë. Ne nuk e festojmë dot Vitin e Ri”, thotë ajo.
Shtëpia e tyre po rrënohet prej amortizimit dhe jetesa në këtë gërmadhe bëhet akoma më e vështirë në këto ditë të forta dimri.
Sot, kur të gjithe do festojnë ditën e ndërimit të viteve, fëmijët e Dalip dhe Drita Hykes do të flenë sërish të pangrëne në banesën ku zot shtëpie është varfëria.
Reklama
"Ky blog, është gazeta jonë e përbashkët virtuale, prej nga do të raportojmë jetën në qytetet tona. Nëpërmjet tij ne do të sjellim pranë publikut të gjerë informacionin e munguar që ndodh në qendër dhe periferi, duke forcuar kështu dimensionin transparent të shoqërisë, përfshirjen e këndvështrimeve të ndryshme dhe rritjen e vetëdijes shoqërore dhe komunitare. Ky blog është fillesa e një rrjeti funksional qytetarësh të angazhuar në monitorim, raportim dhe publikim".
No comments:
Post a Comment